Site hosted by Angelfire.com: Build your free website today!
The Apostle Paul's book to the Romans in Albanian - Diodati i Ri

Copyright (c)1991-4 La Buona Novella, Casell Postel 27 - 72011 Brindisi - Italy

Without permission from the La Buona Novella Brindisi it is prohibited to reproduce or print any part of this text

    Romans 1
 
  1 Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i 
    veçuar për ungjillin e Perëndisë, 
  2 siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e 
    shenjta, 
  3 lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit, 
  4 i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë 
    nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit: Jezu Krishti Zoti ynë, 
  5 me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në 
    besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij, 
  6 ndër të cilët edhe ju jeni të thirrur nga Jezu Krishti; 
  7 për ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të 
    thirrur shenjtorë: hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti 
    Jezu Krishti. 
  8 Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit 
    për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë 
    botën. 
  9 Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet 
    ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj 
    kurrë t'ju kujtoj, 
 10 duke kërkuar vazhdimisht në lutjet e mia që të më lejohet më në 
    fund nga vullneti i Perëndisë mundësia për të ardhur tek ju, 
 11 sepse unë dëshiroj fort t'ju shoh për t'ju komunikuar ndonjë 
    dhunëti frymëror, që të fortësoheni. 
 12 Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të 
    besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin. 
 13 Tani, vëllezër, unë nuk dua që të mos e dini se shumë herë kisha 
    vendosur të vija tek ju që të mund të kem ndonjë fryt midis jush 
    siç kam pasur midis johebrenjve të tjerë, por deri tash kam qenë i 
    penguar. 
 14 Unë u jam borxhli Grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të 
    paditurve. 
 15 Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t'ju predikoj ungjillin edhe 
    juve që jeni në Romë. 
 16 Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është 
    fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun 
    e pastaj Grekun. 
 17 Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në 
    besim siç është shkruar: ``I drejti do të jetojë me anë të 
    besimit''. 
 18 Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e 
    padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, 
 19 meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme 
    në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. 
 20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe 
    hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga 
    krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të 
    pafalshëm. 
 21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e 
    falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet 
    e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. 
 22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, 
 23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një 
    shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të 
    shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve. 
 24 Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtsë në epshet e zemrave të 
    tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre, 
 25 që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan 
    dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar 
    përjetë. Amen. 
 26 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe 
    gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është 
    kundër natyrës. 
 27 Në të njejtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me 
    gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer 
    akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin 
    e duhur për gabimin e tyre. 
 28 Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia 
    i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të 
    pahijshme, 
 29 duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, 
    mbrapshtësi, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, 
    poshtërsi, 
 30 mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, 
    trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, 
 31 të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të 
    papajtueshëm, të pamëshirshëm. 
 32 Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit 
    ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, 
    por miratojnë edhe ata që i kryejnë. 
 
Romans 2 
 
  1 Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm 
    sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që 
    gjykon bën të njëjtat gjëra. 
  2 Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi 
    ata që bëjnë gjëra të tilla. 
  3 Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra 
    që edhe ti i bën, t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë? 
  4 Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe 
    zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të 
    prin në pendim? 
  5 Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, 
    po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të 
    zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë, 
  6 që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: 
  7 jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke 
    ngulmuar në veprat e mira; 
  8 ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i 
    binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim. 
  9 Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më 
    parë e pastaj Grekut; 
 10 por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e 
    pastaj Grekut. 
 11 Sepse te Perëndia nuk ka anësi. 
 12 Në fakt të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin 
    gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligjin 
    do të gjykohen sipas ligjit, 
 13 sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por 
    ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen. 
 14 Në fakt kur johebrenjtë, që s'kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët 
    e ligjit, ata, megjithëse s'kanë ligjin, janë ligj për vetveten; 
 15 këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për 
    dëshminë që jep ndërgjegja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre 
    shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin, 
 16 ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me 
    anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim. 
 17 Ja, ti quhesh Jude, bazohesh mbi ligjin dhe lëvdohesh në 
    Perëndinë, 
 18 njeh vullnetin e tij dhe dallon gjërat e rëndësishme, duke qenë i 
    mësuar prej ligjit, 
 19 dhe je i bindur se je prijësi i të verbërve, drita e atyre që janë 
    në errësirë, 
 20 udhëzues i të marrëve, mësues i të miturve, sepse ke formën e 
    njohurisë dhe të së vërtetës në ligj. 
 21 Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson veten? Ti që predikon se 
    nuk duhet vjedhur, vjedh? 
 22 Ti që thua se nuk duhet shkelur kurora, shkel kurorën? Ti që ke 
    neveri për idhujt, pse i plaçkit tempujt? 
 23 Ti që lëvdohesh me ligjin, e çnderon Perëndinë duke e shkelur 
    ligjin? 
 24 Në fakt, siç është shkruar: ``Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë 
    blasfemohet ndër johebrenj''. 
 25 Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton 
    ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote 
    bëhet mosrrethprerje. 
 26 Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e 
    ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje? 
 27 Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e 
    plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe 
    me rrethprerjen je shkelës i ligjit? 
 28 Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe 
    rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; 
 29 por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja 
    është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude 
    të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia. 
 
Romans 3 
 
  1 Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e 
    rrethprerjes? 
  2 E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë 
    iu besuan atyre. 
  3 Ç'të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre 
    do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë? 
  4 Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo 
    njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ``Që ti të shfajësohesh në 
    fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh''. 
  5 Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e 
    Perëndisë, ç'do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren 
    zemërimin e tij? (Unë flas si njeri). 
  6 Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën? 
  7 Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e 
    Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si 
    mëkatar? 
  8 E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne 
    themi: ``Të bëjmë të keqen që të vijë e mira''? Dënimi i këtyre 
    është i drejtë. 
  9 E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në 
    fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë 
    nën mëkat, 
 10 siç është shkruar: ``Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. 
 11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë 
    Perëndinë. 
 12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të 
    padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. 
 13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur 
    mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; 
 14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; 
 15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; 
 16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, 
 17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; 
 18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre''. 
 19 Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë 
    nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë 
    nënshtruar gjykimit të Perëndisë, 
 20 sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e 
    ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit. 
 21 Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e 
    Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, 
 22 madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për 
    të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; 
 23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, 
 24 por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet 
    shpengimit që është në Krishtin Jezus. 
 25 Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet 
    besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij 
    për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së 
    durimit të Perëndisë, 
 26 për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që 
    ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit. 
 27 Ku është, pra, mburrja? Është përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i 
    veprave? Jo, por nga ligji i besimit. 
 28 Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet 
    besimit pa veprat e ligjit. 
 29 A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe 
    i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve. 
 30 Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin 
    nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit. 
 31 Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; 
    përkundrazi e forcojmë ligjin. 
 
Romans 4 
 
  1 Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka 
    përfituar sipas mishit? 
  2 Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka 
    përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për 
    t'u lëvduar. 
  3 Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? ``Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe 
    kjo iu numërua për drejtësi''. 
  4 Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si 
    borxh; 
  5 ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të 
    paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. 
  6 Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia 
    numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: 
  7 ``Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet 
    u janë mbuluar. 
  8 Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t'ia numërojë mëkatin''. 
  9 Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të 
    parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si 
    drejtësi. 
 10 Në ç'mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i 
    parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i 
    parrethprerë. 
 11 Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për 
    besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim 
    që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të 
    parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t'u numërohet drejtësia, 
 12 dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo 
    vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të 
    atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë. 
 13 Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë 
    Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet 
    drejtësisë së besimit. 
 14 Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet 
    i kotë dhe premtimi anulohet, 
 15 sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka 
    as shkelje. 
 16 Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo 
    është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar 
    për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, 
    por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili 
 17 (siç është shkruar: ``Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve''), 
    është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i 
    jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të 
    ishin. 
 18 Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t'u bërë ati i 
    shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: ``Kështu do të jetë 
    pasardhja jotë''. 
 19 Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes 
    trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind 
    vjeç) as barkut të vdekur të Sarës. 
 20 Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e 
    Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, 
 21 plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i 
    fuqishëm ta bënte. 
 22 Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi. 
 23 E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar, 
 24 por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në 
    atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, 
 25 i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për 
    justifikimin tonë. 
 
Romans 5 
 
  1 Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë 
    nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, 
  2 me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë 
    hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e 
    lavdisë së Perëndisë. 
  3 Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që 
    shtrëngimi prodhon këmbënguljen, 
  4 këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. 
  5 Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur 
    në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë. 
  6 Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij 
    për të paudhët. 
  7 Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do 
    të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. 
  8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur 
    ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. 
  9 Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, 
    do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. 
 10 Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet 
    vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do 
    të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij. 
 11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit 
    tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin. 
 12 Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në 
    botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të 
    gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan; 
 13 sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por 
    mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj; 
 14 por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk 
    kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që 
    është figura e atij që duhej të vinte. 
 15 Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të 
    shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri 
    i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu 
    Krishtit, i teproi për shumë të tjerë. 
 16 Sa për dhuntinë, nuk ndodhi si për atë një që mëkatoi, sepse 
    gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme, por hiri prodhoi 
    shfajësimin nga shumë shkelje. 
 17 Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja 
    mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin 
    bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë 
    në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit. 
 18 Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të 
    gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u 
    shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës. 
 19 Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u 
    bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do 
    të bëhen të drejtë. 
 20 Por ligj i ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku 
    mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt, 
 21 me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe 
    hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme 
    nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. 
 
 Romans 6 
 
  1 Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri? 
  2 Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në 
    të? 
  3 Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u 
    pagëzuam në vdekjen e tij? 
  4 Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu 
    si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, 
    kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. 
  5 Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të 
    tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij, 
  6 duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi 
    i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më 
    mëkatit. 
  7 Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati. 
  8 Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të 
    jetojmë me të, 
  9 duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes 
    më; vdekja s'ka më pushtet mbi të. 
 10 Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; 
    por në atë që rron, rron për Perëndinë. 
 11 Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të 
    gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë. 
 12 Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që 
    t'i bindeni atij në epshet e veta. 
 13 As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete 
    paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej 
    së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për 
    Perëndinë. 
 14 Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni 
    nën ligj, por nën hir. 
 15 Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? 
    Kështu mos qoftë! 
 16 A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i 
    bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për 
    vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi? 
 17 Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, 
    por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar. 
 18 Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë. 
 19 Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse 
    ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë 
    shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë 
    paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qënë 
    shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim. 
 20 Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me 
    drejtësinë. 
 21 Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat 
    tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja. 
 22 Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të 
    Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e 
    përjetshme. 
 23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është 
    jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë. 
 
Romans 7 
 
  1 Apo nuk e dini o vëllezër, (sepse unë po u flas njerëzve që e 
    njohin ligjin), se ligji ka pushtet mbi njeriun për sa kohë ai 
    rron? 
  2 Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa 
    ai rron, por, po i vdiq burri, lirohet nga ligji i burrit. 
  3 Prandaj, nëse, kur i rron burri, ajo bashkohet me një burrë 
    tjetër, do të quhet shkelëse e kurorës; por kur i vdes burri ajo 
    është e liruar nga ligji, që të mos jetë shkelëse e kurorës, po u 
    bë gruaja e një burrë tjetër. 
  4 Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me 
    anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që 
    u ringjall prej të vdekurit, që t'i japim fryte Perëndisë. 
  5 Sepse, kur ishim në mish, pasionet mëkatare që ishin me anë të 
    ligjit, vepronin në gjymtyrët tona, duke sjellë fryte vdekjeje, 
  6 por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qënë të vdekur nga ç'ka na 
    mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në 
    vjetërsinë e shkronjës. 
  7 Çfarë të themi, pra? Se ligji është mëkat? Ashtu mos qoftë! 
    Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse 
    unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: ``Mos 
    lakmo!''. 
  8 Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo 
    lakmi, 
  9 sepse, pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligj, 
    por, kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall dhe unë vdiqa, 
 10 dhe urdhërimi që u dha për jetë, më solli vdekjen. 
 11 Sepse mëkati, duke gjetur rastin me anë të urdhërit, më mashtrojë 
    dhe me anë të tij më vrau. 
 12 Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë 
    dhe i mirë. 
 13 Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Ashtu mos 
    qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri 
    vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet 
    urdhërimit. 
 14 Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i 
    shitur mëkatit si skllav. 
 15 Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj 
    atë që urrej. 
 16 Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë. 
 17 Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua. 
 18 Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë 
    e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia 
    gjej mënyrën. 
 19 Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s'dua, 
    atë bëj. 
 20 Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s'jam më vetë ai që e bëj, 
    por është mëkati që banon në mua. 
 21 Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e 
    keqja gjindet në mua. 
 22 Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të 
    brendshëm, 
 23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër 
    ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit 
    që është në gjymtyrët e mia. 
 24 Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i 
    vdekjes? 
 25 I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë 
    vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me 
    mishin ligjit të mëkatit. 
 
 Romans 8 
 
  1 Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që 
    nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës, 
  2 sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji 
    i mëkatit dhe i vdekjes. 
  3 Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për 
    shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim 
    mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish, 
  4 që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas 
    mishit, por sipas Frymës. 
  5 Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e 
    mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës. 
  6 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja 
    e kontro-lluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe. 
  7 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër 
    Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk 
    mundet. 
  8 Prandaj ata që janë në mish nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë. 
  9 Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në 
    Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i 
    përket atij. 
 10 Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak 
    të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë. 
 11 Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së 
    vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së 
    vdekurish do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të 
    Frymës së tij që banon në ju. 
 12 Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit, që të rrojmë 
    sipas mishit, 
 13 sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë 
    të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni. 
 14 Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të 
    Perëndisë. 
 15 Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri 
    frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne 
    thërrasim: ``Aba, o Atë!''. 
 16 Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. 
 17 Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të 
    Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të 
    dhe lavdohemi me të. 
 18 Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë 
    aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne. 
 19 Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve 
    të Perëndisë, 
 20 sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për 
    shkak të atij që e nënshtroi, 
 21 me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes 
    për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. 
 22 Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në 
    mundim. 
 23 Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të 
    Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, 
    shpengimin e trupit tonë. 
 24 Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është 
    shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë? 
 25 Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s'e shohim, atë gjë e presim 
    me durim. 
 26 Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk 
    dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë 
    Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. 
 27 Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai 
    ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë. 
 28 Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për 
    ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit 
    të tij. 
 29 Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që 
    të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai 
    të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. 
 30 Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe 
    i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi. 
 31 Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me 
    ne, kush mund të jetë kundër nesh? 
 32 Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, 
    qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të? 
 33 Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që 
    i shfajëson. 
 34 Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për 
    më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai 
    ndërmjetëson për ne. 
 35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a 
    ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a 
    shpata? 
 36 Siç është shkruar: ``Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si 
    dele për therje''. 
 37 Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir 
    të atij që na deshi. 
 38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as 
    pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, 
 39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të 
    mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu 
    Krishtin, Zotin tonë. 
 
Romans 9 
 
  1 Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua 
    ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë; 
  2 kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën 
    time. 
  3 Sepse do të doja të isha vetë i ma-llkuar, i ndarë nga Krishti, 
    për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit, 
  4 të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, 
    besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet; 
  5 të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit 
    Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. 
    Amen. 
  6 Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo 
    të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael. 
  7 As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: ``Në 
    Isakun do të quhet pasardhja jote''. 
  8 Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, 
    por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës. 
  9 Sepse kjo është fjala e premtimit: ``Në këtë kohë do të vij dhe 
    Sara do të ketë një bir''. 
 10 Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i 
    vetëm, Isakun, atin tonë, 
 11 (sepse para se t'i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të 
    mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për 
    të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret), 
 12 iu tha asaj: ``Më i madhi do t'i shërbejë më të voglit'', 
 13 siç është shkruar: ``E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun''. 
 14 Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak! 
 15 Ai i thotë në fakt Moisiut: ``Do të kem mëshirë për atë që të kem 
    mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem 
    dhembshuri''. 
 16 Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që 
    vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë. 
 17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: ``Pikërisht për këtë gjë të 
    ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im 
    mbi mbarë dheun''. 
 18 Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do. 
 19 Ti do të më thuash, pra: ``Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në 
    fakt, t'i rezistojë vullnetit të tij?''. 
 20 Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund 
    t'i thotë ena mjeshtrit: ``Përse më bërë kështu?''. 
 21 A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai 
    brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim? 
 22 Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë 
    zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me 
    shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje? 
 23 Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të 
    mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi, 
 24 mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga 
    johebrenjtë? 
 25 Ashtu si thotë ai te Osea: ``Unë do ta quaj popullin tim atë që 
    s'ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin. 
 26 Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni 
    populli im", atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë''. 
 27 Por Isaia thërret për Izraelin: ``Edhe sikur të ishte numri i 
    bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të 
    shpëtohet''. 
 28 Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti 
    do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë. 
 29 Dhe ashtu si profetizoi Isaia: ``Në qoftë se Perëndia i ushtrive 
    nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do 
    t'i kishim ngjarë Gomorës''. 
 30 Çfarë të themi, pra? Se johebrenjtë, që nuk kërkuan drejtësinë, e 
    fituan drejtësinë, por atë drejtësi që vjen nga besimi, 
 31 ndërsa Izraeli, që kërkonte ligjin e drejtësisë, nuk arriti në 
    ligjin e drejtësisë. 
 32 Përse? Sepse e kërkonte jo me anë të besimit, por me anë të 
    veprave të ligjit; sepse ata u penguan në gurin e pengesës, 
 33 ashtu siç është shkruar: ``Ja, unë po vë në Sion një gur pengese 
    dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të 
    turpërohet''. 
 
Romans 10 
 
  1 Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë 
    për Izraelin është për shpëtim të tij. 
  2 Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas 
    njohurisë. 
  3 Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të 
    vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së 
    Perëndisë, 
  4 sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo 
    që beson. 
  5 Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: 
    ``Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre''. 
  6 Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: ``Mos thuaj në 
    zemrën tënde: ``Kush do të ngjitet në qiell?''. Kjo do të thotë që 
    të zbresë Krishti. 
  7 Ose: ``Kush do të zbresë në humnerë?''. Kjo do të thotë që të 
    sjellë lart Krishtin prej së vdekurish. 
  8 Po ç'thotë, pra? ``Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në 
    zemrën tënde''. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë; 
  9 sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh 
    në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të 
    shpëtohesh. 
 10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim 
    për shpëtim, 
 11 sepse Shkrimi thotë: ``Kushdo që beson në të, nuk do të 
    turpërohet''. 
 12 Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm 
    është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e 
    thërrasin. 
 13 Në fakt: ``Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të 
    shpëtohet''. 
 14 Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të 
    besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të 
    dëgjojnë, kur s'ka kush predikon? 
 15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ``Sa 
    të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme 
    të mira!''. 
 16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: ``O 
    Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?''. 
 17 Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e 
    Perëndisë. 
 18 Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, ``Zëri i tyre mori mbarë 
    dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të 
    tokës''. 
 19 Por unë them: ``Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: ``Unë 
    do t'ju shtie në xhelozi me një komb që s'është fare komb; do t'ju 
    bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë''. 
 20 Dhe Isaia me guxim thotë: ``Unë u gjeta nga ata që nuk më 
    kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua''. 
 21 Por lidhur me Izraelin ai thotë: ``Gjithë ditën i shtriva duart e 
    mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës''. 
 
Romans 11
 
  1 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? 
    Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga 
    fisi i Beniaminit. 
  2 Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që 
    përpara. A nuk e dini ju ç'thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet 
    ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë: 
  3 ``O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë 
    mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time''. 
  4 Por, çfarë i tha zëri hyjnor? ``Kam lënë për veten time shtatë 
    mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit''. 
  5 Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas 
    zgjedhjes së hirit. 
  6 Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe 
    hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më 
    vepër. 
  7 E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të 
    zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan, 
  8 siç është shkruar: ``Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të 
    mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme''. 
  9 Dhe Davidi thotë: ``Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një 
    pengesë dhe një shpagim. 
 10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre 
    kërruse përgjithnjë''. 
 11 Unë them, pra: ``Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë 
    të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t'i shtjerë 
    ata në xhelozi. 
 12 Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre 
    është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e 
    tyre? 
 13 Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli 
    i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time, 
 14 për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t'i provokoj se mos i 
    shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre. 
 15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç'do të 
    jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë? 
 16 Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e 
    shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të 
    shenjta. 
 17 Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në 
    vend të tyre dhe u bëre pjestar i rrënjës dhe i majmërisë së 
    drurit të ullirit, 
 18 mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos 
    harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty. 
 19 Do të thuash, pra: ``Degët u prenë që të shartohem unë''. 
 20 Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të 
    besimit; mos u kreno, por druaj. 
 21 Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk 
    të kursen edhe ty. 
 22 Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata 
    që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të 
    ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh. 
 23 Kështu edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të 
    shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t'i shartojë përsëri. 
 24 Sepse, në qoftë se ti u këpute nga ulliri i egër prej natyre dhe u 
    shartove kundër natyrës në ulli të butë, aq më tepër këto, që janë 
    degë prej natyre, do të shartohen në ullirin e vet. 
 25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të 
    fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur 
    një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e 
    johebrenjve, 
 26 dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: 
    ``Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga 
    Jakobi. 
 27 Dhe kjo do të jetë besëlidhja ime me ta, kur unë t'ju heq mëkatet 
    e tyre''. 
 28 Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për 
    sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve, 
 29 sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme. 
 30 Sepse, sikundër dhe ju dikur ishit të pabindur ndaj Perëndisë, por 
    tani fituat mëshirën për shkak të pabindjes së tyre, 
 31 kështu edhe këta tani u bënë të padëgjueshëm, që, me anë të 
    mëshirës që u tregua për ju, të fitojnë edhe ata mëshirë. 
 32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në padëgjesë, që të ketë mëshirë 
    për të gjithë. 
 33 O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të 
    pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e 
    tij! 
 34 ``Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i 
    tij? 
 35 Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?''. 
 36 Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. 
    Lavdi atij përjetë! Amen! 
 
Romans 12 
 
  1 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së 
    Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të 
    shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e 
    mënçur. 
  2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të 
    ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i 
    pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë. 
  3 Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush 
    të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të 
    ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i 
    ndau secilit. 
  4 Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha 
    gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion, 
  5 kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin 
    dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit. 
  6 Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, 
    nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; 
  7 nëse kemi shërbim, le t'i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi 
    të jepet pas mësimit; 
  8 dhe ai që nxit, le t'i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë 
    me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën 
    vepra mëshirë, le t'i bëjë me gëzim. 
  9 Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni 
    pas së mirës. 
 10 Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni 
    kujdes njeri me tjetrin. 
 11 Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, 
    shërbeni Perëndisë, 
 12 të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në 
    lutje; 
 13 ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës. 
 14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni. 
 15 Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë. 
 16 Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, 
    por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur. 
 17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të 
    mirën përpara gjithë njerëzve. 
 18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me 
    gjithë njerëzit. 
 19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend 
    zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ``Mua më përket 
    hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti''. 
 20 ``Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, 
    jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të 
    tij thëngjij të ndezur''. 
 21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën. 
 
Romans 13 
 
  1 Çdo njeri le t'i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka 
    pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar 
    nga Perëndia. 
  2 Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të 
    Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin. 
  3 Sepse eprorët s'ke pse t'i kesh frikë për vepra të mira, por për 
    të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të 
    mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai, 
  4 sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, 
    po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse 
    ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij 
    që bën të keqen. 
  5 Prandaj është e nevojshme t'i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje 
    e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes. 
  6 Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të 
    Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi. 
  7 I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, 
    druajtje atij që është për t'u druajtur, nderimin atij që është 
    për nderim. 
  8 Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, 
    sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin. 
  9 Sepse urdhërimet: ``Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua 
    dëshmi të rreme, mos lakmo'', dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, 
    përmblidhen në këtë fjalë: ``Duaje të afërmin tënd porsi 
    vetveten!''. 
 10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja 
    e ligjit. 
 11 Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse 
    tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është 
    më afër, se kur besuam. 
 12 Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e 
    errësirës dhe të veshim armët e dritës. 
 13 Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo 
    në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë. 
 14 Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për 
    mishin, që t'ia kënaqni lakmitë. 
 
Romans 14 
 
  1 Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për 
    mendimet. 
  2 Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai që është i 
    dobët ha vetëm barishte. 
  3 Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos 
    gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar. 
  4 Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose 
    rrëzohet, është punë e zotit të tij, por ai do të qëndrojë, sepse 
    Perëndia është i zoti ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë. 
  5 Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i 
    çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i 
    bindur në mendjen e tij. 
  6 Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për 
    Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit 
    Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit 
    Perëndisë. 
  7 Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes 
    për veten e tij, 
  8 sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, 
    vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit 
    jemi. 
  9 Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: 
    që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët. 
 10 Por ti, pse e gjykon vëllanë tënd? Ose përse e përbuz vëllanë 
    tënd? Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit. 
 11 Sepse është shkruar: ``Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të 
    ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!''. 
 12 Kështu, pra, secili nga ne do t'i japë llogari Perëndisë për veten 
    e vet. 
 13 Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni 
    këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait. 
 14 Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë 
    nuk është e ndyrë në vetvete, por për atë që çmon se diçka është e 
    ndyrë, për atë është e ndyrë. 
 15 Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të një ushqimi, ti nuk 
    ecën më sipas dashurisë; mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd 
    atë për të cilin Krishti vdiq. 
 16 Prandaj le të mos shahet e mira juaj, 
 17 sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por 
    drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë. 
 18 Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga 
    Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit. 
 19 Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e 
    njëri-tjetrit. 
 20 Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin; vërtet, të gjitha 
    gjëra janë të pastra, por bën keq kur dikush ha diçka që i është 
    pengesë. 
 21 Është mirë të mos hajë mish njeriu, as të mos pijë verë, as të mos 
    bëjë gjë që mund ta çojë vëllanë tënd të pengohet, ose të 
    skandalizohet ose të dobëson. 
 22 A ke besim ti? Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë; 
    lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton. 
 23 Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të hajë, është dënuar, 
    sepse nuk ha me besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është 
    mëkat. 
 
Romans 15 
 
  1 Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që 
    janë të dobët dhe jo t'i pëlqejmë vetes. 
  2 Secili nga ne le t'i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim, 
  3 sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është 
    shkruar: ``Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua''. 
  4 Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për 
    mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të 
    Shkrimeve, të kemi shpresë. 
  5 Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni 
    po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit, 
  6 që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni 
    Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht. 
  7 Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për 
    lavdinë e Perëndisë. 
  8 Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të 
    rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar 
    premtimet e dhëna etërve, 
  9 dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë 
    Perëndinë sikurse është shkruar: ``Për këtë do të të përlëvdoj 
    ndër kombe, dhe do t'i këndoj lavdërime emrit tënd!''. 
 10 Dhe përsëri ai thotë: ``Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij''. 
 11 Dhe përsëri: ``Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta 
    lëvdojnë të gjithë popujt''. 
 12 Dhe përsëri Isaia thotë: ``Do të mbijë një filiz nga rrënja e 
    Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të 
    shpresojnë në të!''. 
 13 Dhe Perëndia i shpresës le t'ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe 
    me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të 
    fuqisë së Frymës së Shenjtë! 
 14 Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se 
    edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të 
    këshilloni njëri-tjetrin. 
 15 Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t'ju kujtoj 
    për hirin që m'u dha prej Perëndisë, 
 16 që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar 
    në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e 
    johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e 
    Shenjtë. 
 17 Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të 
    bëjnë me Perëndinë. 
 18 Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat 
    Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t'i sjell në dëgjes 
    johebrenjtë me fjalë dhe me vepër, 
 19 me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; 
    kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer 
    shërbimin e ungjillit të Krishtit, 
 20 duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i 
    Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetërit. 
 21 Por, sikurse është shkruar: ``Ata, ndër të cilët nuk u qe 
    shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do 
    të kuptojnë''. 
 22 Edhe për këtë arsye u pengova shumë herë të vij tek ju. 
 23 Por tani, duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillizuar në 
    këto vise, dhe duke pasur prej shumë vjetësh mall të vij tek ju, 
 24 kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, 
    t'ju shoh dhe të më përcillni deri atje, pasi të kënaqem, sado 
    pak, me ju. 
 25 Por tani unë po shkoj në Jeruzalem, për t'u shërbyer shenjtorëve, 
 26 sepse atyre nga Maqedonia dhe Akaia u pëlqeu të japin një ndihmesë 
    për të varfërit që janë ndër shenjtorët e Jeruzalemit. 
 27 Kjo u pëlqeu atyre me të vërtetë, sepse u janë debitorë; sepse, në 
    qoftë se johebrenjtë, pra, janë bërë pjestarë bashkë me ta për të 
    mirat frymërore, kanë detyrë t'u shërbejnë atyre edhe me të mira 
    materiale. 
 28 Si ta kem kryer këtë punë dhe t'ua kem dorëzuar këtë fryt, do të 
    shkoj në Spanjë, duke kaluar nga ju. 
 29 Dhe unë e di se, duke ardhur tek ju, do të vij në tërësinë e 
    bekimeve të ungjillit të Krishtit. 
 30 Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për 
    dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia 
    për mua, 
 31 që unë të shpëtoj nga të pabesët në Jude, dhe që shërbesa ime që 
    po bëj për Jeruzalemin t'u pëlqejë shenjtorëve, 
 32 që unë të vij tek ju, në dashtë Perëndia, dhe të freskohem bashkë 
    me ju. 
 33 Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë. Amen. 
 
Romans 16 
 
  1 Dhe unë po jua rekomandoj Febën, motrën tonë, që është dhjake e 
    kishës që ndodhet në Kenkrea, 
  2 që ta pranoni në Zotin, sikurse u ka hije shenjtorëve, dhe ta 
    ndihmoni në çdo gjë që të ketë nevojë nga ju, sepse edhe ajo ka 
    ndihmuar shumë veta, edhe mua vetë. 
  3 U bëni të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorë të mi në 
    Krishtin Jezus, 
  4 të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falendëroj jo 
    vetëm unë, por të gjitha kishat e johebrenjve. 
  5 I bëni të fala edhe kishës që është në shtëpinë e tyre, të fala 
    edhe Epenetit tim të dashur, i cili është fryti i parë i Akaisë në 
    Krishtin. 
  6 Të fala Marisë, e cila u mundua shumë për ne. 
  7 Të fala Andronikut dhe Juniës, kushërinj të mi dhe shokë burgu, të 
    cilët janë dalluar midis apostujve dhe kanë qenë në Krishtin 
    përpara meje. 
  8 Të fala Ampliut, të dashurit tim në Zotin. 
  9 Të fala Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin dhe Stakit tim 
    të dashur. 
 10 Të fala Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala atyre të 
    shtëpisë së Aristobulit. 
 11 Të fala Herodionit, kushëririt tim. Të fala atyre të shtëpisë së 
    Narkisit që janë në Zotin. 
 12 U bëni të fala Trifenës dhe Trifozës, të cilat mundohen në Zotin. 
    Të fala Persidës së dashur, e cila është munduar shumë në Zotin. 
 13 Të fala Rufit, të zgjedhurit në Zotin, dhe nënës së tij që është 
    edhe imja. 
 14 Të fala Asinkritit, Flegontit, Ermës, Patrobës, Ermit dhe 
    vëllezërve që janë me ta. 
 15 Të fala Filologut, Julisë, Nereut dhe motrës së tij Olimpës, dhe 
    gjithë shenjtorëve që janë me ta. 
 16 Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur të shenjtë; kishat e 
    Krishtit ju përshëndesin. 
 17 Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që 
    shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar 
    dhe të largoheni nga ata; 
 18 sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të 
    tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të 
    thjeshtit?. 
 19 Sepse të bindurit tuaj arriti kudo; prandaj unë gëzohem për ju; 
    dhe dëshiroj që të jeni të mëncur për të mirën dhe të thjesht për 
    të keqen. 
 20 Tani Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët 
    tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. 
 21 Timoteu, bashkëpunëtori im, Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinj 
    të mi, ju përshendesin. 
 22 Unë, Terci, që shkrova këtë letër ju përshëndes në Zotin. 
 23 Gai, mikpritësi im dhe i mbarë kishës, ju bën të fala. Erasti, 
    arkëtari i qytetit, dhe vëllai Kuarti, ju dërgojnë të fala. 
 24 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen. 
 25 Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe 
    predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit, të 
    mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur, 
 26 por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, 
    sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të 
    gjitha kombet, për t'i sjellë në dëgjesën e besimit, 
 27 Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë 
    të Jezu Krishtit. Amen.